Ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga aktiviteti njerëzor dhe përdorimi masiv i lëndëve djegëse fosile, e me këtë edhe nga emetimi i sasive të mëdha të dioksidit të karbonit në atmosferë. Kjo kontribuon në ngrohjen e temperaturës së planetit dhe ndikon në burimet, përkatësisht disponueshmërinë e tyre për të përmbushur nevojat themelore siç janë uji i pijshëm, qasja në ushqim, energji, etj. Vendet e varfra dhe ato në zhvillim, veçanërisht ato më pak të zhvilluara, janë veçanërisht të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe nuk janë aspak të përgatitura për t’u përballë me goditjet ndaj natyrës, sistemit social dhe ekonomik.

Çfarë do të thotë kjo e shprehur përmes numrave?

Temperatura e planetit është rritur për 1°C krahasuar me periudhën para-industriale, ose me fjalë të tjera: para fillimit të revolucionit industrial dhe përdorimit masiv të qymyrit.

Ndoshta nuk duket shumë, por për çdo ngrohje prej 1°C, rendimenti i drithërave zvogëlohet për 5%.

Oqeanet ngrohen, akulli në Polin e Veriut dhe Jugut shkrihet e me këtë rriten edhe nivelet e detit. Nga viti 1901 deri në vitin 2010, niveli i detit u rrit për 20 cm.

Emetimet e gazrave serë, veçanërisht të dioksidit të karbonit, duhet të zvogëlohen, gjegjësisht të neutralizohen deri në vitin 2050 në mënyrë që të parandalohen pasojat e pakthyeshme të ndryshimeve klimatike. Neutralizimi i dioksidit të karbonit do të thotë ose të shmanget përdorimi i lëndëve djegëse fosile, e me këtë edhe emetimi i CO2, ose të gjendet një ekuilibër dhe të kompensohen gazrat serë të lëshuara tashmë në atmosferë.

Kjo është e mundur duke përdorur burime të ripërtëritshme të energjisë (diellin, ujin, erën), duke ndryshuar shprehitë e konsumit dhe duke përdorur teknologjinë.

Kur emetimet e gazrave serë do të neutralizohen, ngrohja globale e planetit mund të kufizohet në 1.5°C.

***

Ky njoftim u përgatit si pjesë e fushatës #GoGreenForOurPlanet, në kuadër të projektit Ambasadorët e Rinj për Ndryshimet Klimatike të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e Ambasadës Britanike Shkup. Mendimet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë përmbajtje nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht mendimet dhe pikëpamjet e Qeverisë Britanike.