
Vendet e botës filluan me adresimin e ndryshimeve klimatike në vitin 1992 në Samitin e Rios në Brazil, ku u miratua një dokument që përmbante një plan për të stabilizuar përqendrimin e gazeve serë në atmosferë, në mënyrë që të parandalohen pasojat katastrofale për planetin. Dokumenti quhet Konventa Kornizë e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) dhe hyri në fuqi në vitin 1994, pasi u nënshkrua nga 154 vende.
Me këtë rast, vendet takohen çdo vit në Konferencën për Ndryshimet Klimatike (COP) për të vlerësuar progresin në luftën kundër ndryshimeve klimatike, për të rishikuar dokumentet dhe marrëveshjet që janë pjesë e procesit të zvogëlimit të emetimeve të gazrave serë të të gjitha vendeve, veçanërisht të atyre që janë shumë të zhvilluara.
Konferenca u mbajt për herë të parë në vitin 1995 në Berlin, ndërsa 20 vjet më vonë, në vitin 2015 në Paris, u miratua Marrëveshja e Parisit, e nënshkruar nga 197 vende, me synimin për të kufizuar ngrohjen globale nën 2°C.
Këtë vit për shkak të pandemisë, Konferenca e 26-të (COP26) u shty për në vitin 2021 dhe do të mbahet në Glasgou të Mbretërisë së Bashkuar. COP26 ka një rëndësi të madhe sepse do të rishikojë aktivitetet e vendeve dhe do t’u kërkojë atyre ulje më ambicioze të emetimeve të gazrave serë për të arritur qëllimin e Marrëveshjes së Parisit.
***
Ky njoftim u përgatit si pjesë e fushatës #GoGreenForOurPlanet, në kuadër të projektit Ambasadorët e Rinj për Ndryshimet Klimatike të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e Ambasadës Britanike Shkup. Mendimet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë përmbajtje nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht mendimet dhe pikëpamjet e Qeverisë Britanike.